Wednesday, December 9, 2009

Përmendore për heronjtë e Çamërisë

Shënime për librin
“Çamëria baladë e fustanellave”
e autorit Bido Ibrahimi

Falenderoj nga zemra autorin e librit “Çamëria baladë e fustanellave”, Bido Ibrahimi, që më dha mundësinë të shkruaj edhe unë pak rrjeshta në vend të parathënies për tregimet e tij. Ndihem krenar teksa mendoj se ato pak rreshta që kam shkruar janë parathënie jo vetëm për këtë botim të shkrimtarit çam Bido Ibrahimi, por edhe për vendin tim, Çamërinë.

Shtysën për të shkruar këtë libër autori e mori fare rastësisht në takimet tona (të grupit nismëtar të Partisë për Drejtësi dhe Integrim, në qytetin e Durrësit) në mbasditet, në zonën e plazhit.

Lum Çafuli, sa e pa profesor Bidon, (kështu i flasim ne, të gjithë nxënësit, mësuesit tonë, mësues i dy brezave, në zonën e plazhit, Durrës) e thirri dhe i tha:

“Profesor, do të na shkruash diçka për Çamërinë tani. Më në fund jemi të gjithë bashkë. Shkruaj profesor, sepse pena jote të mahnit, të bën për vete. Të gjitha librat që ti ke shkruar, kur fillon t’i lexosh nuk i lëshon dot nga dora pa i mbaruar së lexuari”.

Besoj se është shumë e vështirë për dikë që shkruan, sepse, natyrisht, është i detyruar ta kthejë në palëvizshmëri të gjithë vrullin që ka fjala brenda. Çdo fjalë është një kore e fortë që mban brenda vetes një fuqi shpërthyese për të gjetur kuptimin e saj, ajo duhet lënë të shpërthejë si predhë dhe të çlirojë kështu shpirtin që mban brenda. Këtë gjë, në mënyrë shumë të vyer, në vendin e duhur dhe në kohë e duhur e bën autori që në rrjeshtat e para të tregimeve, duke bërë që lexuesit, si pa e kuptuar, t’i rëndohet frymëmarrja dhe ta lexojë me shumë kërshëri këtë libër, i cili që nga fillimi e deri në fund është homazh për heronjtë e Çamërisë.

Gjuha që përdor autori e në veçanti shprehjet: barbari helene, masakër, dergjet e rënkon, Çamëri martire etj., përdoren në shumë kuptime, gjë që bëhet për të nxjerrë në pah vlerat e folesë së të parëve tanë, Çamërisë.

Këtu autori tërhiqet mbi shpresën e dëshpërimit, mbi kufitjë e vjetër, shikon tek vetja, shikon rreth tij, zbulon se vyrtyti herë-herë është i pavlerë, duhet të vijë shpirti ligjvënës për të themeluar një rend të ri, ligje të reja në mënyrë që bota të bëhet një harmoni e tërë.

Në tregimet e tij autorit përdor një fjalë të urtë çame: “atje ku ti ke dështuar, kthehu, atje ku ti ke fituar largohu”.

Pra, në qoftë se kam dështuar dhe po qe se më ka mbetur dhe një orë për të jetuar, unë do të nisem në detyrë, në qoftë se une kam arritur t'ia dal në krye do ta hap tokën për të ardhur të shtrihem pranë teje (tokës çame).

Brezat shkojnë e vijnë, por masakrat çame kurrë nuk harrohen. E si mund të harrohet gjaku i derdhur në Çamëri, rënkimet e kokave të prera paramithiote, në Filat e në shumë qytete e fshatra çame dhe së fundi fustanellat e përgjakura marglliçote?!…

Shkrimtari e sintetizon në një fjali të vetme genocidin e ushtruar në Çamëri: "100-koka të prera ,100 fustanella që i merr era"...
Një vlerë te veçantë që unë do të cilesoja tek tregimet e shkruara nga autori Bido Ibrahimi, është lufta për t’u ngjitur shkallë-shkallë e për të arritur lart, aq lart sa mund ta çonte forca dhe këmbëngulja, në majën që unë vetë e kam quajtur "shikimi çam". Autori u thërret kujtimeve, mbledh nga jeta e vet, e shokëve të tij të pahatur në erë, duke qendruar në këmbë, si një ushtar përpara martirëve çamë, ai u raporton atyre se profesor Bidua është i mbrujtur nga e njëjta tokë çame, si ata dhe ka shkruar edhe mbi gur, për të reflektuar ngrohtësi brezash, por edhe unitet mbarëkombëtar dhe më e rëndësishmja që përçon ky libër është që kjo frymë për tokën çame të kalojë brez pas brezi e thënë ndryshe stafetë e përflakur.

Skënder Hasani

No comments:

Post a Comment